|
 |
| Foto e Dites |
 |
Qendra për informim të
qytetarëve Tel/Fax: +389 46 831 196
Email: kryetari@dibra.gov.mk |
 |
QPP te OJQ-ve Diber |
 |
ZELS |
 |
Rinia Tolerante Diber |
|
|
|
Lajme nga presi |
Dibra e Madhe - Indiferentizmi i mërgatës dibrane
Dibranët lypin investime e jo fjalë boshe
|
Edhe kësaj vere në Dibër të Madhe erdhën mërgimtarët. Kësaj vere erdhën afër tre mijë mërgimtarë, më pak se sa viteve tjera.
Ardhja e mërgimtarëve në Dibër të Madhe ka shumë qëllime sublime. E para është çmallja me prindërit, të afërmit,miqtë, shokët e shoqet. E dyta synetet, fejesat e dasmat caktohen gjatë pushimeve verore për të krijuar mundësinë që këto çaste gëzimi t’i kalojnë sëbashku mërgimtarët dhe dibranët që jetojnë në vendlindje.
Vendasit dhe mërgimtarët gjatë pushimeve krijojnë mundësi që të rinjtë të njoftohen, të krijojnë lidhje fejesash e martesash, me të vetmin qëllim për t’i ikur asimilimit në vendet e huaja, e që maksimalisht të krijohen lidhje e miqësi mes vetë dibranëve, për t’i ruajtur aqë sa ka mundësi traditën, doket e mentalitetin dibran.
|
Mërgata t’i vë dorën Dibrës së Madhe
Sipas treguesve flitet se në SHBA ka afër 15 mijë dibranë.Dibranë ka edhe në Kanada, në shtetet e tjera të Evropës e gjer në Australinë e largët, por numerikisht më pak.
Një pjesë e konsiderueshme e mërgatës dibrane ka veprimtari dhe biznese tejet të suksesshme. Flitet se pasuria e tyre vlerësohet në miliona e miliona dollarë, ndërkaq sasi të mëdha parashë janë depozituar edhe në bankat ku jetojnë e punojnë.
Megjithatë investimi i dibranëve në vendlindje është pothuajse zero. Kjo ndikon që për shkak të papunësisë së theksuar dita ditës nga Dibra e Madhe të largohen të rinjtë, të cilët këtu nuk shohin asnjë perspektivë për jetën dhe ardhmërinë e tyre. Çdo e treta shtëpi është e mbyllur me çels dhe hapet vetëm kur mërgimtarët vijnë për pushime.
Nuk ka mërgimtar dibran që nuk thotë se e don vendlindjen,se e don Dibrën e Madhe, por kjo më shumë bëhet deklarativisht, sa për t’ia bëë qejfin vetes dhe atyre me të cilët flasin, se sa financiarisht për të ngritur ekonomi të vogla apo të mesme dhe për të zgjeruar frontet e punës.
Pasiviteti i mërgatës dibrane u tregua edhe gjatë periudhës së privatizimit në vendlindjen e tyre dhe asnjëri nuk u bë i gjallë që të ven dorë dhe të aktivizojë ndonjërin nga objektet ekonomike të falimentuara. Kjo ndodhi edhe me fabrikën e dëgjuar të qilimave, ku dikur punonin afër 1 mijë punëtorë e punëtore, ndërsa sot është rafshuar për toke, ka ndëruar destinimin dhe nuk gjendet asnjë gjurmë e saj.
Dibrën e Madhe e kanë ruajtur dhe e ruajnë ata që jetojnë dhe sfidojnë vazhdimisht.Dibranët nuk lypin lëmoshë dhe të gjithë e dijnë se rrugëve të Dibrës së Madhe nuk ka lypësa dibranë. Lypsat që i takon rrugëve të Dibrës së Madhe janë të ardhur klandestinë.
Dibranët kanë sedrën dhe dinjitetin e tyre. Ata kërkojnë të kenë ku të punojnë dhe me djersën e ballit ta fitojnë kafshatën e bukës dhe të krijojnë ardhmërinë e tyre.
Mërgata dibrane ka dështuar në investimin dhe krijimin e ndërmarrjeve të vogla, të mesme, apo në ngritjen e plantacioneve bujqësore, për të cilat ekzistojnë kushte dhe mundësi. Kështu do të punësoheshin dibranët dhe me punën e tyre të vyer do të kishin leverdi të ndërsjellë edhe pronarët e ndërmarrjeve edhe punëtorët. Kështu më së miri do të zhvillohej dhe mbrohej Dibra e Madhe nga boshatisja dhe nga kolapsi ekonomik që e ka kapluar. Këtu duhet përqëndruar vëmendja e mërgatës dibrane.
Dibranët po i sfidojnë kohës
Vitaliteti i pamohueshëm i shqiptarëve më së miri dëshmohet nëpërmjet dibranëve,që karakterizohen përmes tre Dibrave.E para- Dibra e Madhe dhe kryeqendra e Krahinës së Dibrës deri në vitin 1913,kur me Konferencën e ambasadorëve në Londër në vitin 1913 dhe me Konferencën e Paqes në Paris 1919-20,iu dhurua Beogradit dhe sot ndodhet në Maqedoni.E dyta- Dibra e Vogël-Peshkopia , e cila mbeti në Shqipëri, dhe e treta një Dibër e tërë e mërgimtarëve që tashmë gjendet në SHBA.
Çdo pëllëmbë toke e Dibrës së Madhe është e larë me gjakun trimëror të burrave e grave për të mbrojtur nderin,veten,fëmijët dhe pragun e shtëpisë.Edhe pse e shkatërruar,e kafshuar,e tradhëtuar dhe e djegur shumë herë gjatë shekujve,Dibra me njerëzit e saj gjithnjë kanë gjetur mundësinë të sfidojnë e të hedhin shtat, sikur lisi në pyll të shkrumuar.
Serbët Krahinën e Dibrës e kanë djegur tri herë,duke detyruar shpërnguljen e dhjetëra mijërave dibranë.Ata kanë djegur shtëpitë sëbashku me fëmijët dhe pleqtë brenda,kanë vrarë njerëzit e pafajshëm në oborrin e shtëpisë,kanë përdhunuar,kanë grabitur tërë pasurinë dhe gjënë e gjallë,për të mos lënë asnjë kusht për vazhdimin e jetës.
Gjatë vendosjes së kufirit në Dibër të Made nuk u përfill as konfiguracioni natyror dhe as as vullneti politik i dibranëve.Shkrimtarja amerikane Rous Uajder Lein në vitet e 20-ta të shekullit 20-të, në librin e saj “Majat e Shalës”,shkruan se “Qyteti i Dibrës iu muar Shqipërisë me vijën kufitare të vitit 1913,siç nxirret sythi i një patateje”.Ndërkaq Dimitrije Tucoviq në librin “ Serbia dhe Shqipëria”,duke përshkruar gjendjen e krijuar në viset e aneksuara nga Serbia,thotë se,”aneksimi ndau bujkun prej arës,bagëtinë prej kullotës,tufën prej lugjeve,fshatin prej mullirit,blerësin dhe shitësin nga tregu,rrethin prej qytetit dhe tërë viset malore prej qendrës së tyre ekonomike e hambarët e ushqimit…burimet e jetës u prenë”.
Ndarja e Dibrës në dy pjesë, është kobi më i madh që ra mbi Dibrën e Madhe dhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Pas luftës së Dytë Botërore bijtë më të mirë dibranë u bënë pre e përndjekjeve,burgosjeve dhe vrasjeve më mizore të UDB-së serbomaqedonase.Atdhetari Nexhat Agolli-jurist i diplomuar në Romë, zv/kryeministër dhe ministër i Asistencës sociale në Qeverinë e parë të Maqedonisë, u burgos dhe u torturua për vdekje në vitin 1949. Xhafer Kodra, ministër i Drejtësisë së Maqedonisë, u arrestua gjithashtu në vitin 1949 dhe kthehet i dërmuar psikikisht dhe fizikisht nga torturat në Goli Otok, etj.
Në Dibër të Madhe shteti ka investuar pak
Gjatë sistemit gjysëmshekullor monist investimet për zhvillimin ekonomik të Dibrës së Madhe ishin shumë më të pakta se në vendet e tjera. Edhe sot e kësaj dite shteti nuk e ka në sy të mirë Dibrën e madhe dhe investon shumë pak.
Ndarjet e njëpasnjëshme territoriale kanë bërë që sot Dibra e Madhe të mbetet me sipërfaqe prej 180 mijë kilometra katrorë dhe afër 19 mijë banorë.
Investuesit që kanë mbetur në histori
Në bëmat historike të Dibrës së madhe ka shumë dibranë, të cilët ishin donatorë të shumë ngjarjeve dhe që për çështjen kombëtare shqiptare shkrinë tërë pasurinë dhe jetën e tyre.
Fuad Dibra, patrioti dibran e mbarëshqiptar,refuzoi tërë ofiqet mashtruese, dhe për çështjen kombëtare shqiptare shkriu tërë pasurinë dhe jetën e tij.Ai në Konferencën e Paqes në Paris më 1919-1920, ku u arrit që Shqipëria të njihet si shtet i pavarur, harxhoi më shumë se 500 mijë franga ari, duke financuar qëndrimin dhe veprimtarinë e delegacionit shqiptar në këtë konferencë vendimarëse.
Ismail Pashë Dibra, ishte donatori kryesor i mbajtjes së Kongresit të Manastirit. Hoxhë Maliq Tanusha, ishte donator për hapjen e shkollave shqipe në trojet shqiptare etj.
Ata që mirëfilli e duan Dibrën e Madhe duhet edhe të investojnë.
Rexhep Torte
Kthehu pas
|
|