Teatri shqiptar takohet në Dibër
Teatri i hapësirave mbarëshqiptare takohet në Dibër. Sot në mbrëmje çelet edicioni i tetë i Festivalit të Teatrit Shqiptar në Maqedoni. Do të jetë shfaqja e Teatrit Kombëtar të Tiranës, "Këngëtarja tullace" e Joneskos, vënë në skenë nga regjisori Spiro Duni që do të ngrejë siparin. I kthyer tashmë në një traditë, organizuar në një qytet me shumicë shqiptare, ky festival takon artistë të të gjitha trevave ku flitet shqip.
Ndonëse këtë vit organizatorët u shprehën për vështirësi financiare të organizimit të këtij aktiviteti, janë ftuar në konkurrim teatro nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, nga Kosova dhe Maqedonia. Deri në datën 17 tetor, ku do të mbahet edhe ceremonia e çmimeve, do të ngjiten në skenë shfaqjet "Kolonel Zogu", i regjisorit Alfred Trebicka, një shfaqje e realizuar në teatrin "Skampa" të Elbasanit, ndërsa teatri "Bylis" i Fierit prezantohet me pjesën "Si rruar qethur" me regji të Guri Koços. Konkurrimi vazhdon me Teatrin Kombëtar të Gjilanit dhe shfaqjen "Seks rrena dhe pata t‘egra", vënë në skenë nga Erson Zymberaj, më tej me "Fundloja", nga teatri "Dodona" dhe me regji të Kastriot Saqipit, ndërsa Teatri Kombëtar i Tetovës vjen në këtë festival me pjesën "Albanikum", shkruar dhe vënë në skenë nga Florent Mehmeti. Një tjetër prodhim i këtij teatri, "Kënga e aktorit" me regji të Muharrem Sulejmanit, do të shfaqet për publikun si pjesë përshëndetëse. Përvojat e këtyre festivaleve, që do t‘i quaja festa teatrore, të çojnë në mendimin absolut të domosdoshmërisë së tyre, si mjet i afrimit midis popujve apo si pika referimi për rrugët e artit, shkëmbime eksperiencash, zhvillim të kritikës artistike, një çelës shumë i rëndësishëm i zhvillimit të artit skenik të fjalës", shprehet aktorja Drita Pelinku, që këtë vit nuk është ftuar thjesht për të ndjekur shfaqjet, por është edhe pjesë e jurisë. Ajo thekson veçanërisht interesin e publikut për të ndjekur shfaqjet në konkurrim dhe pritjen që u bëhet artistëve gjatë ditëve të aktivitetit. Po ashtu, të tjerë kritikë teatri, si Adriatik Kallulli, apo personazhe të njohura të teatrit shqiptar kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në këtë festival. Edhe edicionet e shkuara, teatri shqiptar ka qenë i pranishëm vazhdimisht me shfaqje jo vetëm prodhime të Teatrit Kombëtar, por edhe premiera të realizuara në teatrot e rretheve, duke u kthyer edhe me çmime për regjinë apo interpretimin e aktorëve. Në përfundim të këtij festivali ndahen një sërë çmimesh: për shfaqjen më të mirë, regjisorin më të mirë, skenografinë më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, aktorin dhe aktoren joprotagonist, çmimi inkurajues ose i karrierës dhe çmimi "Sulejman Pitarka", i quajtur i tillë pas vdekjes së aktorit të njohur. Mbrëmja e 17 tetorit do të shënojë edhe ceremoninë mbyllëse të edicionit të tetë të këtij takimi teatror.
Freskimi i fundit (TUESDAY, 12 JANUARY 2010 02:17)




